MISIONI DHE STRATEGJIA E DEPARTAMENTIT TE ELEKTRONIKES DHE TELEKOMUNIKACIONIT, 2012 - 2016

 

Misioni i DET, si njësi bazë e FTI, bazuar edhe në Statutin e Universitetit Politeknik të Tiranës, është:

•           të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve si dhe të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj të fushave të Teknologjisë së Informacionit: Inxhinieri Telekomunikacioni dhe Inxhinieri Elektronike bazuar në programe mësimore bashkëkohore, të kualifikuar dhe të përshtatshëm për tregun e punës në Shqipëri dhe në vende të tjera perëndimore.

•           Garantimi i cilësisë dhe plotësimi i standardeve akademike për të gjitha programet e studimit në të tre ciklet.

•           Nxitja, mbështetja dhe zhvillimi i aktivitetit shkencor të pedagogëve dhe studentëve, veçanërisht atyre diplomantë.

•           të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi i lartë gjatë gjithë jetës;

•           të bashkëpunojë me industrinë për identifikimin e kërkesës për burime inxhinierike dhe përshtatjen e programeve mësimore në funksion të saj.

•           të kontribuojë në aftësimin praktik të studentëve dhe veçanërisht të të diplomuarve.

 

Objektivat e Departamentit të Elektronikës dhe Telekomunikacionit (DET) lidhen me objektivat dhe veprimtaritë formuese të programeve në të tre ciklet e studimit, Bachelor,  Master Profesional, Master i Shkencave dhe Studime Doktorature.

 

Programet e studimeve të ciklit të parë, Bachelor në Inxhinieri Elektronike dhe Bachelor në Inxhinieri Telekomunikacioni ofrojnë një kulturë bazë inxhinierike jo vetëm të shkencave të formimit të përgjithshëm dhe të formimit themelor specifik, por edhe të sistemeve të telekomunikacioneve, protokolleve të transmetimit të të dhënave, sistemeve elektronike, aplikimeve në to, etj. Nga ana tjetër, këto programe i japin mundësi studentëve që të brumosen me të menduarit kritik në mënyrë që  të mos shikojnë vetëm aspektet e projektimit të sistemeve elektronike dhe të telekomunikacioneve apo elementeve të tyre përbërës, por edhe ato të dimensionimit dhe menaxhimit optimal të tyre. Përsa i përket formimit në fushën e mirëfilltë të inxhinierisë elektronike dhe të telekomunikacionit, programet e studimit ofrojnë njohuri mbi elementët bazë të sistemeve elektronike; projektimin e elementëve përbërës të sistemeve elektronike; aplikimet e sistemeve dhe elementëve elektronike në industri, telekomunikacione dhe rrjeta me sensore; mbi arkitekturen e sistemeve të telekomunikacioneve; teknikave të përpunimit dhe transmetimit të sinjaleve multimediale, audio, video dhe versione të kompresuara të tyre; teknikave dixhitale të transmetimit që lidhen me sistemet wireless, sistemet satelitore, sistemet me fibra optike; arkitekturën e rrjeteve dhe protokolleve të transmetimit të të dhënave etj.

 

Programi i studimit të ciklit të dytë, Master Profesional në Teknologji Informacioni, ka për qëllim ti ofrojë studentëve të diplomuar në ciklin e parë bachelor në inxhinieri elektronike dhe bachelor në inxhinieri telekomunikacioni, njohuritë plotësuese, të përftuara në sistemin 3 vjeçar të studimit dhe me njohuri të reja shtesë. Ky cikël studimi do t’iu vijë në ndihmë me njohuri të domosdoshme dhe shtesë në fushën e sistemeve të komunikimeve mobile, menaxhimit të inovacionit dhe të projekteve, televizionit numerik, optimizimit të grafeve, teknologjive hardware në telekomunikacion, komutimit dhe rrugëzimit në rrjetat e të dhënave, aplikimeve multimediale për web dhe pajisjet mobile dhe aplikimeve të sistemeve satelitore, në mënyrë që studenti i diplomuar në Master Profesional, të jetë në gjendje të përballojë sfidat dhe kerkesat e tregut, të sektorit të teknologjisë së informacionit, që janë në zhvillim të përhershëm dhe të shpejtë. Objektivi final, është që studenti i diplomuar, të jetë në gjendje të fitojë të gjitha njohuritë e nevojshme, për konceptimin, implementimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe aplikimeve të lidhura me teknologjitë e informacionit.

 

Programet e studimit të ciklit të dytë, Master i ShkencaveInxhinierisë Elektronike dhe Master i Shkencave në Inxhinieri Telekomunikacioni ofrojnë formim për të punuar në projektim, vënie në jetë dhe mirëmbajtje të sistemeve elektronike dhe të telekomunikacionit, menaxhim të teknologjive të komunikimit dhe të protokolleve të transmetimit të të dhënave. Ato zgjerojnë njohuritë e mara në ciklin e parë të studimeve dhe japin njohuri në fusha të reja specifike që lidhen me sistemet elektronike dhe sistemet e telekomunikacioneve.

Studentët e diplomuar në “Master i Shkencave” kanë aftësi dhe mjete intelektuale për të planifikuar dhe udhëhequr procese kërkimi inovative të mirëfillta apo të zbatuara. Njohuritë dhe aftësitë e fituara i japin mundësi të diplomuarit të vejë në përdorim mjete dhe metodologji, në mënyrë që të bëjnë të mundur trajtimin e problematikave dhe planifikimin e zgjidhjeve në sferën e sistemeve realë.

Diploma “Master i shkencave” i jep mundësinë studentëve për vazhdimin e studimeve në ciklin e tretë, studimet e doktoraturës.

 

Programi i studimit i ciklit të tretë, të Doktoratës në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit, drejtimi Telekomunikacion dhe Inxhinieri Informacioni, ka për qëllim të pajisë studentët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme, në mënyrë të tillë që ata mund të kryejnë punë kërkimore të kualifikuar në universitete, trupa publike dhe organizata private, duke zhvilluar më tej progresin shkencor dhe teknologjik, si dhe do të krijojë një klasë udhëheqëse me nivel të lartë profesional.

 Qëllimi i studimeve të thelluara në ciklin e tretë është të thellojë njohuritë bazë formuese të inxhinierëve, duke synuar përgatitjen e drejtpërdrejtë nga ana shkencore për të lejuar kualifikimin e mëtejshëm në fushat  inxhinierisë elektronike si dhe të inxhinierisë së telekomunikacioneve.

Puna studimore dhe projektuese në ciklin e tretë synon që studenti i doktoratës në mënyrë individuale të pasurojë njohuritë kërkimore shkencore të drejtimit të tezës së doktoratës, duke thelluar përgatitjen teoriko-shkencore për të lejuar zhvillimin e kapaciteteve dhe thellimin e njohurive në fushën komplekse inxhinierike që janë në një zhvillim teknologjik të vazhdueshëm.

 Qëllimi i punës studimore dhe projektuese gjatë vitit të tretë është që studenti i doktoratës në mënyrë individuale të jetë i aftë të përfundojë punën kërkimore shkencore të tezës së doktoratës, duke arritur synimin për të përfunduar tezën e doktoratës, që i jep të drejtën për të kërkuar gradën “Doktor”, pasi ka zhvilluar kapacitetet laboratorike, ka thelluar njohuritë në programin përkatës  inxhinierik që ka zgjedhur, si dhe ka dhënë ide të reja në një zhvillim teknologjik të caktuar.

Programi i studimit të Doktoratës lejon të ushtrohet kërkimi shkencor në sektorët e projektimit inxhinierik, zhvillimit dhe menaxhimit të sistemeve të përpunimit të pajisjeve informatike dhe sistemeve të informacionit; planifikimin dhe menaxhimin e infrastrukturave dhe proceseve në sektorin e telekomunikacioneve; futjen e teknologjive të reja në sektorin e Teknologjisë së Informacionit.

 

<<< kthehu pas<<<

Bashkëpunime ndërkombëtare Shërbimet Copyright © 2010-2017 Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT)
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (FTI)
Sheshi Nënë Tereza 4, Tiranë
Telefon: +355.42.278159
Qendër Download Posta Elektronike Biblioteka