Qëllimi kryesor i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) është përgatitja e inxhinierëve në shkencat e inxhinierisë së informacionit: inxhinieri elektronike, inxhinieri informatike dhe inxhinieri e telekomunikacioneve. Fakulteti përbëhet nga 35 punonjës mësimorë (staf akademik efektiv), 20 prej të cilëve me tituj dhe grada shkencore. Së bashku me stafin ndihmës, numri i punonjësve rritet në 54 anëtarë. FTI ka në përbërjen e tij tre njësi: Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit; Departamenti i Inxhinierisë Informatike dhe Qendra për Kërkim dhe Zhvillim të Teknologjive të Informacionit. Aktualisht në FTI studiojnë rreth 1400 studentë në të tre ciklet e studimit, Bachelor, Master dhe Doktoratë.

 

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (dikur Departamenti i Elektronikës) filloi për herë të parë reformimin e degëve të elektronikës sipas modelit 3+2, të procesit të Bolonjës, në Tetor 2002. Synimi ishte reformimi i degës për të përgatitur kuadro që t’i përgjigjen më mirë zhvillimeve gjithmonë të vrullshme të drejtimeve të reja të elektronikës, të njohura si inxhinieria e informacionit. Ky model i ri u përshtat me zhvillimet aktuale të degës së elektronikës në Shqipëri.

Reforma u përmirësua më tej në vitin 2004, kur Departamenti i Elektronikës, realizoi reformimin, duke u mbështetur në traditën tonë të Arsimit të Lartë, si dhe në modelet më të mira të Universiteteve Politeknike në Evropë. Në vitin 2005 u propozuan për herë të parë edhe programet Master i shkencave, mbështetur edhe nga një Projekt bashkëpunimi midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Italisë.

 

 

Arsyet pse zgjedhja juaj, pavarësisht preferencës është e drejtë:

 

FTI është një shkollë serioze, me selektivitet, që vlerëson meritën.

 

Programet e studimit në FTI janë një ofertë formuese për drejtime që garantojnë një të ardhme të sigurt, drejt një punësimi apo kualifikimi të mëtejshëm të suksesshëm, brenda apo jashtë vendit.

 

Studentët që diplomohen në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit janë nderi i Universitetit Politeknik dhe më gjerë për të gjithë vendin. Studentët e degëve të ofruara nga FTI kanë fituar Medaljen e Artë në studimet universitare. Ata janë krenaria dhe brilanti i të gjithë fakulteteve të Universitetit Politeknik.

 

Stafi i fakultetit në gjithë këto vite ka përgatitur studentë me cilësi shumë të lartë, që janë ballafaquar denjësisht në universitete me emër në të gjithë botën. Ata kanë nderuar ngjyrat e Flamurit Kombëtar me pozicionet që kanë zënë në universitete prestigjioze në botë.

 

Stafi i fakultetit do të vazhdojë punën me përkushtim për të garantuar gjithmonë standardet e cilësisë dhe rritjen e vazhdueshme të nivelit të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor.

 

 

Programi i studimeve të ciklit të parë në FTI ofron një kulturë bazë inxhinierike jo vetëm të shkencave të formimit të përgjithshëm dhe të formimit themelor specifik, por edhe të sistemeve të Teknologjive të Informacionit dhe aplikimeve në to. Përsa i përket formimit në fushën e mirëfilltë të inxhinierisë programi i studimit bachelor ofron njohuri mbi elementët bazë të sistemeve të informacionit (SI); arkitekturën e tyre, si dhe projektimin e elementëve përbërës të SI; arkitekturën e rrjetave dhe protokolleve të transmetimit të të dhënave, aplikimet në industri, telekomunikacione, sistemet bankare, etj..

 

Të diplomuarit në programet e studimit Bachelor të FTI kanë aftësi për t’u marrë me projektime, zbatime dhe mirëmbajtje të sistemeve përpunues të informacionit, të sistemeve elektronike, të sistemeve përpunues të të dhënave, të sistemeve të telekomunikacioneve, etj.. Formimi bachelor mundëson drejtimin e laboratoreve të përpunimit të informacionit të ndërmarrjeve, apo kompanive që punojnë në fushën e Teknologjive të Informacionit dhe të Komunikimit.

 

Për të rritur cilësinë e diplomave që ofron, FTI ka një bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera, për të përftuar eksperiencë në laboratore kërkimore me emër në fushat përkatëse. Kjo duke shfrytëzuar lidhjet e vendosura jashtë vendit, kryesisht me universitetet ku kemi stafin e ftuar, si Gjermania, Franca, Italia, etj.. Projekte të përbashkëta me universitetet e BE në kuadër të fondit të ekselencës, të projekteve të kërkim zhvillimit të MAS, etj..

 

 

FTI ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me Kompanitë e biznesit në Shqipëri. Praktika e studentëve të FTI zhvillohet në kompanitë e fuqishme të telefonisë celulare si AMC, Albtelecom dhe Eagle Mobile, Vodafone Albania, në kompanitë e ICT si Infosoft Albania, Abcom, Tring Communications etj. Një bashkëpunim i vazhdueshëm me kompanitë e medias televizive si TVSH, Top Channel, TV Klan, etj.

 

 

Ju uroj Suksese në studimet Bachelor në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, në Universitetin Politeknik të Tiranës!

 

Ju Faleminderit që zgjodhët fakultetin tonë!

 

Dekani

Rozeta Miho